Publikimet


Njoftim për Media nr11

Nis anketa Pas-Censusit. INSTAT ka nisur në terren anketën Pas-Censusit e cila do të zgjasë rreth 3 javë. Kjo anketë shërben për të vlerësuar përqindjen e mbulimit të popullsisë dhe banesave të Censusit. Përgatitjet për këtë anketë kanë filluar paralelisht me Censusit, disa muaj më parë. Nentor 17, 2011: INSTAT ka nisur në terren anketën e Pas-Censusit. Kjo anketë, e cila bëhet për herë të parë në vendin tonë, ka si qëllim kryesor vlerësimin e përqindjes së mbulimit të popullsisë dhe banesave të Censusit. Një tjetër objektiv i kësaj ankete është dhe matja e cilësinë së të dhënave të mbledhura nga Censusi. Për realizimin e kësaj ankete, e cila ka qenë e planifikuar disa muaj më parë, INSTAT ka filluar punën paralelisht me Censusin. Ajo do të kryhet sipas metodologjisë së Eurostat direkt mbas përfundimit të Censusit në terren. Anketa Pas Censusit, është një nga metodat statistikore që përdoret kryesisht për vlerësimin e përqindjes së mbulimit të Censusit. Për këtë anketë është përgatitur një pyetësor tip me 11 pyetje dhe kohëzgjatja në terren do të jetë rreth 3 javë. Aktualisht janë rreth 106 anketues të INSTAT të cilët kanë filluar punën në terren për të mbledhur këto të dhëna. Numri i zonave të censusit së përzgjedhura është 106 (rreth 1 % e totalit të Shqipërisë) të cilat përfaqësojnë të gjithë territorin e Shqipërisë dhe që mbledhin informacion në rrang qytetesh të ndara në urban-rural. Ftojmë të gjithë qytetarët e zonave në të cilat kryhet anketa që të marrin pjesë dhe të japin informacionin e kërkuar nga INSTAT. Ky informacion do të ndihmojë vlerësuar se si është kryer procesi i Censusit të zhvilluar gjatë muajit tetor. Për këtë anketë, ashtu edhe si për të gjithë procesin e Censusit, INSTAT ka mbështetjen e ekspertizës së Asistencës Teknike të Bashkimit Europian, e cila e ka ndihmuar INSTAT në të gjithë hapat e përgatitjes së kësaj ankete.


Njoftim për Media nr10

Përfundon Censusi i Popullsisë dhe Banesave 2011. Përfundon puna në terren për Censusin e Popullsisë dhe Banesave 2011. INSTAT përgatitet për të mbledhur informacionin nga rrethet për të nxjerrë rezultatet paraprake. Tetor 31, 2011: Censusi i Popullsisë dhe Banesave përfundoi fazën në terren. Kjo fazë ka përfunduar me sukses të plotë dhe gjej rastin këtu të falenderoj të gjithë qytetarët për kontributin e tyre në këtë proces të rëndësishëm statistikor për vendin tonë. Gjithashtu, falenderoj anketuesit dhe stafin e INSTAT, të cilët kanë punuar me seriozitet dhe angazhim total për të arritur në një Census të suksesshëm dhe brenda të gjithë standardeve ndërkombëtare. Anketuesit e INSTAT, gajtë kësaj periudhe kanë trokitur në çdo derë në të gjithë territorin e Shqipërisë për të mbledhur të dhënat e Censusit. Java e fundit e punës në terren, shërbeu për të rikontrolluar të gjitha banesat si dhe për tu dhënë mundësinë të gjithë familjeve të cilët nuk ishin kontaktuar më parë për arsye të ndryshme. Tashmë, Censusi kalon në një fazë të re, atë të mbledhjes së informacionit nga terreni. Të gjithë pyetësorët, shumatoret dhe materialet e aketuesit do të mbërrijnë në INSTAT për t’u përpunuar dhe për të bërë gati rezultatet paraprake të Censusit. Kështu, një muaj pas mbledhjes së materialeve nga terrei, INSTAT do të përgatisë publikimin e të dhënave paraprake. Në këto rezultate do të ketë informacion mbi numrin e popullsisë rezidente në Shqipëri të ndarë sipas prefekturave dhe gjinisë, numrin total të banesave të banuara dhe të pa banuara, etj. Dua t’ju bëj në dije, se pas përfundimit të Censusit në terren në muajin nëntor, INSTAT sipas metodologjisë së Eurostat do të kryejë Anketën e pas-census-it. Kjo anketë e cila bëhet për herë të parë në Shqipëri, dhe është një kërkesë nga Eurostat, do të bëhet për të vlerësuar punën në terren të Censusit si dhe për të matur cilësinë e këtyre të dhënave. Siç e kam theksuar dhe në fillim të këtij procesi, Censusi është një proces statistikor i cili shërben për të ndërtuar politika social-ekonomike në të mirën e komunitetit tonë. Ndaj përfundimi me sukses i këtij procesi garanton një të ardhme më të mirë për vetë ne.


Njoftim per Media nr9

Censusi drejt përfundimit. Fundi i tetorit do të mbyllë punën në terren të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011. Tetor 21, 2011: Censusi i Popullsisë dhe Banesave është drejt fazës finale. Deri tani, sipas të dhënave paraprake nga terreni në të gjithë territorin e Shqipërisë, procesi ka ecur shumë mirë dhe sipas parashikimeve të bëra nga INSTAT. Ligji mbi Censusin e Popullsisë dhe Banesave parashikon që procesi në terren të zgjasë katër javë, pra deri në fund të tetorit. Java e fundit është faza finale ku anketuesit së bashku me stafin mbështetës të INSTAT finalizojnë procesin duke numëruar pjesën e mbetur të popullsisë si dhe duke përgatitur raportet përfundmitare të punës së kryer. Për këtë arsye edhe një herë i bëjmë thirrje të gjithë individëve apo familjeve që për arsye të ndryshme nuk janë kontaktuar nga anketuesit të mos hezitojnë të kontaktojnë në numrat falas (0 800 3333 dhe 0 800 8888) që INSTAT ka vendosur në dispozicion për ta. Operatorët e INSTAT, që punojnë nga ora 8 e mengjesit e deri 10 të darkës do t’ju japin përgjigje të menjëhershme mbi çdo pyetje që ju keni dhe do t’ju ndihmojnë për tu bërë pjesë e Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011 deri në fund të këtij muaji. E theksoj dhe një herë që duhet që çdo individ apo familje të bëhet pjesë e këtij procesi i cili kryehet një herë në 10 vjet. Ne duhet ta dimë se sa jemi dhe se si jetojmë për të planifikuar një të ardhme më të mirë për ne dhe brezat që do të vijnë. Ndaj ftoj dhe njëherë ata që deri tani nuk janë bërë ende pjesë e procesit të marrin pjesë në Census.


Njoftim per Media nr8

Censusi po afrohet në fazën finale. Deri tani banesat e numëruara janë 79.6%. Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur të gjithë do të jemi bërë pjesë e Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011. Tetor 18, 2011: Censusi i Popullsisë dhe Banesave është drejt përfundimit. Ecuria e tij deri në ditën e 16-të, është sipas parashikimeve të bëra nga INSTAT. Në të gjithë Shqipërinë janë numëruar 79.6 përqind e banesave. Ritmi i deritanishëm është i kënaqshëm dhe mbi mesataren e përllogaritur deri në këtë datë (76.3%). Disa rrethe kanë një ecuri mbi këtë mesatare siç janë; Dibra, Saranda, Korça, Berati Durrësi, Lezha, etj. ndërsa disa rrethe të tjera si Puka, Tropoja, Gjirokastra etj. për shkak të terrenit të vështirë apo intesitetit të lartë të banesave janë nën këtë mesatare. Anketuesit, të cilët janë persona të pajisur me mjete indentifikuese nga INSTAT do t’ju pyesin për gjendjen tuaj reale. Pyetjet mbi statusin tuaj social dhe ekonomik janë të vendosura në një pyetësor i cili është ndërtuar sipas standarteve ndërkombëtare ku parim bazë është deklarimi i lirë, ndaj mos hezitoni ti përgjigjeni të gjitha pyetjeve. Cilësia e të dhënave të censusit varet nga përgjigjet tuaja. Ju rikujtojmë që edhe pse kanë mbetur pak ditë nga përfundimi i procesit në terren ka ende punë për të bërë, pasi suksesi i plotë i censusit garantohet nga angazhimi i përbashkët i qytetarëve dhe i stafit të punësuar nga INSTAT. Ndaj, ju bëjmë thirrje edhe një herë që ta përfundojmë me sukses këtë proces, duke kuptuar që Censusi është një e mirë e përbashkët që do ti shërbejë vetë komunitetit ku ne jetojmë çdo ditë. Në vëmendjen tuaj ju bëjmë me dije se të gjithë ato familje apo individë që deri në datën 21 tetor nuk janë kontaktuar nga anketuesit e INSTAT mund të telefonojnë falas në numrat 0 800 8888 dhe 0 800 3333 të cilët punojnë çdo ditë nga ora 8.00 e mëngjësit deri më 22.00 të darkës për çdo nevojë apo informim të publikut mbi censusin.


Njoftim për Media nr7

Rezultatet 10 ditë nga censusi. Dita e 10-të e Censusit të Popullisisë dhe Banesave në terren po ecën sipas parashikimeve. Deri tani janë numëruar rreth 535 mijë banesa ose 52% e totalit. Sipas raportimeve që vijnë në INSTAT nga rrethet, si dhe nga sistemi me sms, deri tani janë numëruar 535 300 banesa ose 52% e të gjithë banesave në të gjithë Shqipërinë. INSTAT ka përllogaritur një mesatare për përqinden që duhet kryer deri në datë 10 tetor e cila është 49.4% dhe shifra që ne kemi deri në këtë ditë është mbi këtë mesatare. Disa nga rrethet që kanë patur performancën më të lartë, pra mbi këtë mesatare (52%) janë; Berati (58%), Dibra (67%), Pogradeci (62%), Lezha(56.7%) etj. Nga ana tjetër, disa rrethe janë nën mesataren e përllogaritur si; Durrësi (47.1%), Hasi (36.9%) dhe Tepelena (37.1%). Ndërkohë që në Tiranë janë numëruar 50.2% e ndërtesave të parashikuara.Pra sic shihet nga kjo panoramë e deritanishme, puna në terren po ecën sipas parashikimeve të INSTAT. Sigurisht që një proces madhor sic është Censusi ka dhe problematikën e vet, si në disa raste janë dashur pyetësorë dhe anketues shtesë që INSTAT i ka zgjidhur sipas parashikimeve. Numri fillestar i anketuesëve të përllogaritur ishte 11 712 dhe tani ka arritur në 11 902. Kjo për shkak të ndarjes së disa Zonave të Censusit të cilat kishin intensitet të lartë banesash krahasuar me të tjerat. Deri tani janë 190 Zona Censusi të cilat janë ndarë në 372 të tjera dhe kjo ka kërkuar një numër shtesë anketuesish. Disa qytete të mëdha si, Tirana, Vlora, Lushnja, Durrësi kanë kërkuar numër shtesë pyetësorësh për të shkak të numrit më të madh të banesave në këto zona. Gjithashtu, në disa rrethe si rezultat i madhësisë së familjeve janë dërguar pyetësorë individualë shtesë. Deri në ditën e dhjetë, Censusi në terren po ecën sipas parashikimeve dhe problemet që janë hasur kanë gjetur zgjidhje të menjëhershme nga përgjegjësit e INSTAT në rrethe. Edhe një herë falenderojmë qytetarët e Shqipërisë për pjesmarrjen dhe kontributin e tyre dhe ftojmë ata që në ditët në vijim ti hapin dyert anketuesëve për ta përfunduar me sukses këtë proces.


Njoftim për Media nr6

Kryhet anketimi në 21 përqind të banesave. Procesi i Censusit po ecën sipas dinamikës së parashikuar. Raportimet ditore nga terreni të cilat mblidhen në INSTAT nga të gjithë zonat e numërimit , flasin për rezultate shumë positive. Bazuar në të dhënat e mesditës së sotme janë kryer anketimet në 21përqind të banesave të Shqipërisë. Ritmi i deritanishëm tregon që procesi po ecën mirë dhe kemi arsye të jemi optimistë që ky proces do të përfundojë me sukses. Natyrisht që gjatë një procesi kaq kompleks mund të dalin edhe probleme të natyrave të ndryshme. Deri tani problematika e shfaqura kanë qenë raste të izoluara dhe INSTAT ka ndërhyrë duke marrë të gjitha masat e duhura për të garantuar një proces të drejtë. Dëshirojmë të adresojmë edhe disa shqetësime të qytetarëve lidhur me pasojat juridike të Censusit për çështje që lidhen me taksat apo kombësinë. Censusi është një matje statistikore që nuk ka të bëjë me regjistrin civil, taksat, pronat, pensionet apo kombësinë. Censusi i popullsisë dhe banesave numëron individët, banesat, njësitë ekonomike familjare në të gjithë territorin e Shqipërisë, të cilat do të publikohen në formë të agreguar dhe vetëm për qëllime statistikore. Vetëm të dhënat e sakta që sigurohen nga censusi mund të shërbejnë si bazë për të planifikuar politika sociale dhe ekonomie. Do të jenë qytetarët e Shqipërisë ata që do të përfitojnë nga ky proces. Dhe janë qytetarët ata të cilët meritojnë një falënderim të veçantë për përgjegjësinë dhe angazhimin qytetar, jo vetëm duke iu përgjigjur Censusit, por edhe duke raportuar për parregullsitë e hasura. Ftojmë të gjithë qytetarët që do të vizitohen së shpejti nga anketuesit tanë t’i presin ata me mikpritjen tradicionale që karakterizon këtë vend e të japin pa droje të dhënat e tyre sic kanë bërë kahera në këto troje. Edhe njëherë i falenderojmë të gjithë qytetarët e Shqipërisë për bashkëpunimin e deritanishëm dhe i ftojmë të tregojnë këtë vullnet edhe ditëve në vijim.


Njoftim për Media nr5

Nis në terren Censusi i Popullsisë dhe Banesave 2011. Drejtoresha e Përgjithsme e INSTAT, Ines NURJA falenderon të gjithë popullsinë që banon në Shqipëri për pjesmarrjen aktive në Censusin e Popullsisë dhe Banesave. Censusi i Popullsisë dhe Banesave ka nisur që dje në terren ku 12 mijë anketues po trokasin derë më derë për të mbledhur të dhënat e Censusit. Më lejoni t’ju them, se procesi në terren sipas raportimeve të para, po shkon mjaft mirë dhe të gjithë familjet po i hapin dyert anketuesëve të INSTAT. Anketuesit e INSTAT janë duke kryer punën në terren në cdo skaj të Shqipërisë me profesionalizëm. Për këtë proces masiv në terren janë printuar 40 milion faqe materiale censusi dhe po punojnë 12 mijë anketues, 2 330 kontrollorë, 128 mbikqyrës 36 kordinatorë lokalë. Aktualisht në të gjithë Shqipërinë janë 374 zyra censusi dhe 11 në Tiranë që punojnë cdo ditë pa ndërprerje të aftë për të zgjidhur cdo situatë në terren. E gjithë kjo armatë është e pajsisur me karta telefoni falas (15 mijë karta) ku do të raportojnë cdo ditë mbi punën në terren në një databazë që është ndërtuar enkas për këtë proces. Me anë të Censuslit do të merren informacion mbi popullsinë e Shqipërisë, se sa njerëz jetojnë në këtë vend, si jetojnë ata, cfarë pune bëjnë etj. Pra të dhënat e censusit i shërbejnë vetë qytetarëve të këtij vendi, ndaj pjesmarrja e tyre sic ka qenë deri tani është e domosdoshme. Gjej rastin të falenderoj të gjithë popullsinë shqiptare për bashkëpunimin e deri tanishëm dhe në vijim të Censusit. Gjithashtu, falenderoj dhe median për hapsirën që i ka dhënë këtij procesi në terren. Për informacion të detajuar mbi Censusin ju lutem referojuni në portalin e internetit të Institutit të Statistikave www.census.al


Njoftim për Media nr4

Censuset në krahasim. Shqipëria është gati për Censusin 2011. Përderisa INSTAT është duke hyrë në fazën e numërimit, disa nga vendet fqinje dhe shtetet tjera të Evropës tani më kanë mbaruar së numëruari dhe kanë publikuar rezultatet e para të Censuseve të tyre. Censuset ndjekin rregulla dhe standarde kombëtare dhe ndërkombëtare. Krahasueshmëria rrit vlerën e statistikave! Gjuha e përbashkët e numrave mundëson një njohje më të mirë të vendeve tjera në krahasim me Shqipërinë. Statistikat e krahasueshme shërbejnë për të planifikuar – sipas trendëve kohore – përtej kufijve. Investitorët, ndërmarrjet gjithmonë e më pak kufizohen brenda kufijve të një shteti kur hartojnë plane biznesi. Gjithashtu edhe Bashkimi Evropian ka nevojë për të dhëna të krahasueshme pasi që shumë planifikime zhvillohen në nivel ndërkombëtarë dhe gjithmonë e më pak brenda një shteti të vetëm. Për këtë arsye është një interes i përbashkët i të gjitha vendeve të kenë të dhëna të krahasueshme. Çdo shtet përveç të dhënave të krahasueshme nxjerrë nga rezultatet e Censusit edhe informacione më specifike, varësisht nga nevojat e atij vendi. Sa pyetje përfshijnë pyetësorët e disa shteteve që kanë mbaruar Censuset e tyre, a kanë pyetur për përkatësinë etnike dhe fetare, dhe a kanë qenë këto përgjigje të obligueshme... Këto informacione dhe disa fakte tjera janë të ilustruara në tabelën e bashkëngjitur me pdf e këtij njoftimi.


Njoftim për Media nr3

Kryeministri Z. Sali Berisha nderon me prezencën e tij INSTAT, Institutin e Statistikave të Shqipërisë, ndërkohë që dyert janë të hapura dhe për median. Në ditën e “ Shtëpisë së hapur për mediat” Z. Berisha sheh nga afër përgatitjet e Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011, organizuar nga INSTAT. “Kryeministri Z. Sali Berisha nderon me prezencën e tij INSTAT, Institutin e Statistikave të Shqipërisë, ndërkohë që dyert janë të hapura dhe për median. Në ditën e “ Shtëpisë së hapur për mediat” Z. Berisha sheh nga afër përgatitjet e Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011, organizuar nga INSTAT. Qendra e Përpunimit të të Dhënave po pret fazën e nxehtë të Censusit, ku miliona të dhëna të njerëzve që jetojnë në Shqipëri do të mblidhen me anë të këtij Censusi. Në 54 vende pune operatorët e INSTAT do të heqin të dhënat individuale të mbledhura gjatë punës në terren nga data 01-21 tetor 2011. "Fytyra e dukshme e Censusit do të jenë anketuesit, të cilët do trokasin në çdo derë për të mbledhur të dhënat " thotë Zj. In es Nurja, Drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT. Megjithatë ajo thekson publikisht pjesën e punës së padukshme në INSTAT e cila do të bëhet me dyer të mbyllura për të siguruar mbrojtjen e të dhënave në mënyrë absolute. Prandaj vizita e Z.Kryeministër në ditën e “ Shtëpisë së hapur” është mundësia e fundit për një paraqitje të shkurtër publike në zyrat e INSTAT-it deri sa Censusi të përfundojë. "Ne e bëjmë transparentë përpunimin e të dhënave ", thekson Elda Kapllani, Menaxhere e Censusit të Popullsisë dhe Banesave në INSTAT. “Mbrojtja e të dhënave dhe konfidencialiteti janë shtylla e operacioneve statistikore dhe pjesë e pashmangshme e politikës së INSTAT-it” sqaron ajo. INSTATsiguron mbrojtjen e të dhënave statistikore dhe për këtë arsye ka një interes për ti treguar publikut, se si të mbrohen dhe përpunohen të dhënat. Në këtë eveniment , gjithashtu marrin pjesë ; Z. Ettore Sequi, Ambasador i Delegacionit të Bashkimit Europian dhe Z. Genc Pollo, Ministër i Inovacionit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Kjo ditë është e hapur për gazetarët dhe do të zhvillohet ditën e enjte, dt 15 shtator nga ora 10.45 deri në 12.00 në INSTAT, Bulevard Zhan D'Ark Nr 3, Tiranë.


Njoftim për Media nr2

Censusi i Popullsisë dhe Banesave , përveç të qenurit një ngjarje për të gjithë njerëzit që jetojnë në Shqipëri, sjell dhe nje term i cili është një risi për gjuhën shqipe. Fjala “ Census” ndjek traditën e vjetër të fjalëve latine dhe është duke u bërë një term i zakonshëm në terminologjinë shqiptare. “Përdorimi i fjalës “Census” në vend të fjalës “Regjistrimi” është absolutisht korrekt” thotë Zj. Ines Nurja , Drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT” , e cila po organizon numërimin në Shqipëri. “Censusi 2011, nuk regjistron njerëzit, por numëron popullsinë duke bërë një vlerësim për kushtet aktuale të jetesës në Shqipëri. Për këtë qëllim, fjala “ Census” është vetmi term i saktë për të përshkruar aktivitetin që po organizon INSTAT, përfundon Zj.Nurja “. Censusi i Popullsisë dhe Banesave , nis në terren me datë 1 tetor dhe zgjat për 3 javë. Fjala “Census” e ka origjinën nga gjuha latine. Folja “ censere “ do të thotë “ të vlerësosh” dhe kjo është ajo çfarë ekzaktësisht do të ndodhë në Shqipëri me Censusin e 2011 : një vlerësim statistikor i popullsisë dhe burimeve të Shqipërisë sot. “Census” si term zakonisht përdoret për Censusin e Popullsisë dhe Banesave. Forma të tjera të këtij përdorimi janë psh; anketime në biznese, bujqësi apo tregti. Përkufizimi që bëjnë Kombet e Bashkuara e përshkruajnë Censusin si “numërim individual universal në një territor të caktuar , në një kohë të caktuar dhe me një periodicitet të caktuar”


Njoftim për Media nr1

Ora po ecën: Edhe një muaj nga fillimi i Censusit. Me 1 tetor të gjithë banorët rezidentë, njësitë ekonomike familjare dhe banesat në Shqipëri do të numërohen. INSTAT është duke u përgatitur maksimalisht për këtë proçes, pjesa më e madhe e stafit është e përkushtuar që të punojë edhe jashtë orarit të punës në mënyrë që të sigurohet një Census i suksesshëm. “Nuk ka më kohë” thotë Drejtoresha e Përgjithshme Ines Nurja, kur i referohet datës së 1 tetorit, kur të gjithë anketuesit do të shpërndahen anembanë Shqipërisë. INSTAT është përgjegjës që 15.000 persona të përfshirë në këtë proces të punojnë ashtu si duhet dhe që rezultatet të prezantohen brenda afateve kohore dhe në linjë me standardet ndërkombëtare. Aktualisht 165 mbikëqyrës janë trajnuar për aktivitetet statistikore në terren, ndërkohë pajisjet për printimin e pyetësorëve dhe hartave po punojnë me temperaturë te lartë Këto materiale do të përdoren nga anketuesit të cilët do të trajnohen nga mbikëqyrësit deri në fund të muajit. Stafi i INSTAT është përkshtuar që të punojë gjysëm ose orar të plotë në fundjavë apo në festat zyrtare, pasi tani secila ditë është me rëndësi. “Të punosh jashtë orarit secilën javë nuk ka qenë vendim i lehtë” tregon Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT Zj. Nurja. “Më duhet të falënderoj të gjithë stafin e INSTAT që po tregon aq shumë përkushtim dhe pasion për atë që duhet arritur. Nuk është kohë e lehtë për ne dhe për familjet tona, por ne jemi duke punuar për një çështje shumë të vlefshme” thotë ajo. INSTAT-i, në këtë proces mbështetet nga EUROSTAT dhe Asistenca Teknike e Bashkimit Europian.


Buletini vol.8

Një grup pune i mbështetur nga projekti i financuar nga BE për “Regjistrimine Popullsisë dhe Banesave 2011” u zhvillua në ambjentet e INSTAT në datat 22-24 Mars 2011. Objektivi kryesor i këtij grupi pune ishte përgatitja e versionit final të pyetësorëve dhe formularëve të tjerë në lidhje me regjistrimin. Një grup pune i përbërë nga demografë të INSTAT dhe specialistë të sektorëve punuan së bashku me gjashtë ekspertët e huaj të projektit nga Universiteti i Tiranës, Univerisiteti i New York Tiranë,ONS-UK, INED Francë, Universiteti i Selanikut, dhe nga Instituti i Statistikavetë Hungarisë.


Buletini vol.7

Komisioni Qendror i Regjistrimit në mbledhjen e rradhës vendosi shtyrjen e datës së Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave 2011 në Shqipëri. Sipas kryetarit të komisionit Z. Genc Pollo, Ministër për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, ndryshimi i datës është i nevojshëm në mënyrë që të mos përkoj me një tjetër proces të rëndësishëm siç është ai i Zgjedhjeve Lokale. Regjistrimi do të kryhet në Tetor pasi Komisionet Lokale janë të fokusuara në zgjedhjet lokale dhe duhet patur parasysh se këto komisione kanë peshë në procesin e Regjistrimit. Për këtë shtyrje është diskutuar me drejtuesit e Eurostat dhe me ekspertizën e huaj dhe është rënë dakord.


Buletini vol.6

Gjatë muajit Dhjetor 2010 ka përfunduar ndërtimi i Qendrës së Përpunimit të të Dhënave. Kjo qendër do të shërbejë për të bërë skanimin e të gjithë pyetësorët e Regjistrimit të Përgjithshëm të Popullsisë dhe Banesave 2011. Për vetë rëndësinë e këtij procesi, në këtë qendër është vendosur një sistem i sigurt hyrje-dalje elektronik për të patur një monitorim të kontrolluar të procesit të skanimit të pyetësorëve të regjistrimit.


Buletini vol.5

Nevoja për të patur rezultate sa më të sakta dhe të larmishme për situatën reale të popullsisë dhe banesave ka sjellë realizimin e një projekti tepër të vlefshëm për statistikat në Shqipëri. Kështu projekti i Gjeografisë së Regjistrimit të Popullsisë në INSTAT ka mundësuar implementimin e Infrastrukturës së të Dhënave Hapësinore në regjistrimin e pritshëm të vitit 2011.


Buletini vol.4

Dy prilli 2011 do të jetë data kur do të nisë zyrtarisht Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave. Pas diskutimeve të bëra, shqyrtimit të kalendarit vjetor dhe atij politik, Komisioni Qendror për Regjistrimin vendosi që puna në terren të nisë në fillim të prillit. Diskutimet në mbledhjen e fundit të Komisionit nisën me dy prezantime informuese nga punonjës të INSTAT për Kryetarin e Komisionit Qendror të Regjistrimit Genc Pollo, ministrat e anëtarët e tjerë të komisionit.


Buletini vol.3

Përparimet, problemet dhe ecuria e deritanishme e Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave u prezantuan në një workshop të organizuar në Tiranë,u të pranishëm ishin personalitete të rëndësishme. Takimi i organizuar nga Instituti i Statistikave dhe Projekti i BE “Asistencë Teknike për Zyrën Statistikave Kombëtare dhe Zyrat e saj Rajonale, Shqipëri u zhvillua në Hotel Sheraton, ne formën e një tryeze të rrumbullakët dhe zgjati rreth 3 orë. Të pranishmit u njohën me zhvillimet më të fundit si dhe me sfidat e një prej proceseve më të rëndësishme për vendin.


Buletini vol.2

Qëllimi kryesor i Regjistrimit Pilot, (RP) është të vërë në provë hartografinë, metodologjinë, strukturën organizative, planifikimin logjistik dhe ndërveprimin ndërmjet të gjithë kapaciteteve të planifikuara për tu angazhuar me Regjistrimin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe banesave që do të realizohet në prill të vitit 2011.


Buletini vol.1

Regjistrimi i Përgjithshëm i Popullsisë dhe Banesave i cili do të kryhet në vitin 2011 është investimi më i madh që një vend kryen për t’i shërbyer vendit të tij. Ky regjistrim është i dyti në periudhën post-komuniste dhe të dhënat do të shërbejnë për të patur një fotografi më të qartë të realitetit shqiptar në të gjithë territorin e vendit. Bashkëpunimi i qytetarëve të këtij vendi në këtë proces shumë të rëndësishëm është një domosdoshmëri e cila do të bëjë që ky projekt ambicioz dhe i kushtueshëm të realizohet me sukses. Të dhënat që do të sigurohen nga ky regjistrim janë të ruajtura në bazë të ligjit për statistikat dhe janë konfidenciale, pra asnjë e dhënë individuale nuk do të përdoret apo bëhet publike. Të dhënat e agreguara do të shërbejnë për të prodhuar statistika të ndryshme demografike, sociale dhe ekonomike. Ato do të jenë baza më e rëndësishme e të dhënave mbi të cilat do të zhvillohen politikat për zhvillimin e vendit për të paktën 10-të vitet e ardhshme.